Toger Blerand Hasanaj kampion në automobilizëm
Prishtinë, 30 dhjetor - Toger Blerand Hasanaj, komandant i Kompanisë në Batalionin e Parë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë (BRSH), të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), u shpall vozitësi i vitit 2014 nga Federata e Automobilizmit e Republikës së Kosovës.
Toger Blerandi gjithashtu është shpallur kampion për vitin 2014, në Kampionatin e Automobilizmit në të cilin garojnë sportistë nga Kosova dhe Shqipëria.
Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, toger Blerand Hasanaj, aktivitetin e tij sportiv në fushën e automobilizmit e zhvillon në kuadër të klubit ,,DTM- Prishtina, dhe deri më tani, në kuadër të këtij klubi, ka zhvilluar gara në nivel kombëtar dhe rajonal.
Duhet theksuar se toger Blerandi, sportin e automobilizmit e ka pasion dhe se të gjitha investimet në këtë sport janë investime të tij vetanake.
Blerandi të gjitha garat, si edhe stërvitjet i ka zhvilluar me veturën e tij ,,Opell Kadet, të adoptuar për këtë sport. Përkundër kësaj, toger Hasanaj, falë talentit të tij dhe përkushtimit, ka arritur që të fitoj titullin kampion dy herë brenda tri viteve 2012, 2013 dhe 2014.
Oficeri Blerand Hasanaj u lind më 29.04.1985 në Prishtinë, është kadet i gjeneratës së parë të Akademisë Ushtarake, atëherë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, tani oficer i FSK-së.
Pas diplomimit në Akademi ka kryer edhe trajnimin specialistik në drejtimin e këmbësorisë në Georgia të shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Që nga viti 2013, toger Blerand Hasanaj kryen detyrën e Komandantit të Kompanisë në Batalionin e Parë në Gjilan dhe shquhet si një bashkëpunëtorë i shkëlqyer dhe dallohet për vullnetin, integritetin dhe përkushtimin e tij në punë.