Thaçi: Krenohemi me sportin pejan
Pejë, 6 prill Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ne Ditën ndërkombëtare të sportit për paqe dhe zhvillim, ka vizituar Klubin e xhudos \"Ippon\" në Pejë, ku ka takuar kampionen e botës Majlinda Kelmendi, trajnerin e saj Driton Kuka dhe sportistë tjerë të suksesshëm të këtij klubi.
Me këtë rast, Kryeministri Thaçi ka përcjellë nga afër ushtrimet e xhudistëve pejanë dhe është njohur me sukseset e klubit.
Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e Kryeministrit Thaci gjatë vizitës në klubin e xhudos \"Ippon\" në Pejë, pjesë e të cilit është edhe kampionia Majlinda Kelmendi:
Fillimisht më lejoni që t\'ju uroj për sukseset e jashtëzakonshme dhe historike që keni arritur ju me ekipin tuaj. Është një kënaqësi e veçantë që t\'i shoh këtu këto vasha, këta djem të rinj, që janë duke shkëlqyer me suksesin e tyre për qytetin e Pejës, për Kosovën, për të gjithë shqiptarët, një sukses ky jo vetëm në nivel vendi, jo vetëm në nivel rajoni, por në nivel Evrope, në nivel botë.
Sot secili nga ne në Kosovë krenohemi me Pejën, krenohemi me sportin pejan, krenohemi me këtë klub, krenohemi me botëroren, me kampionen e botës, me Majlindën. Urime dhe suksese.
Prandaj, edhe sot nuk kishte se si të mos ndodhesha pikërisht në qytetin kampion, në klubin kampion, në mesin e njerëzve të punës, të suksesit të sportit. Ky është mesazhi më i mirë për solidaritet, për afrim me njëri-tjetrin, është diçka që i bashkon njerëzit pa dallime politike, pa dallime etnie, pa dallime fetare.
Sot është edhe Dita Ndërkombëtare e Sportit për paqe dhe zhvillim, prandaj jam në vendin e duhur, në kohën e duhur, në mesin e njerëzve të duhur, në mesin e njerëzve kampion. Kampionët e sportit dhe të politikës sot jemi bashkë\" theksoi Kryeministri Hashim Thaçi i gjatë vizitës në Klubin e xhudos \"Ippon\" në Pejë.
Kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi është shprehur se ndihet mirë dhe e privilegjuar që kryeministri i Kosovës e viziton pikërisht në vendin ku ajo kalon pjesën më të madhe të kohës dhe nga ku stërvitet për të arritur rezultate kulminante në xhudo.
Majlinda ka falënderuar Kryeministrin Thaçi për gjithë përkrahjen që ai dhe qeveria që drejton i kanë dhënë dhe po vazhdojnë t\'i japin asaj dhe sportistëve tjerë të suksesshëm për të arritur rezultate të larta sportive. Kjo është një motiv shtesë për të gjithë ne sportistët që të vazhdojmë me suksese të reja - tha Majlinda Kelmendi.
Poashtu, edhe trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka ka falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Sportit, Memli Krasniqi për mbështetjen që i ka dhënë xhudistëve kulminantë të Kosovës dhe gjithë sportit kosovar.
\"Synimi ynë është që ashtu sic ishim bashkë me kryeministrin Thaçi në Lojërat Olimpike në Londër, të shkojmë bashkë edhe në Lojërat Olimpike në Rio De Janiero, por kësaj radhe të kthehemi me medale\" tha Driton Kuka.
Gjatë vizitës në klubin \"Ippon\" në Pejë, Kryeministri Thaçi ishte i shoqëruar nga ministrat Memli Krasniqi dhe Besim Beqaj.