Tata Martino trajner i Argjentinës
Buenos Aires, 14 mars - Me kalimin e ditëve situata në klubin katalanas në lidhje me trajnerin Gerardo Tata Martino po bëhet gjithmonë e më e qartë.
Zërat për afrimin e Franck De Boer duket se gjejnë mbështetje më të madhe pasi tekniku aktual i blaugranave duket i projektuar për një tjetër detyrë në të ardhmen.
Sipas mediave spanjolle, Federata Argjentinase e Futbollit dhe presidenti i saj, Julio Grondona kanë planifikuar emërimin e Martinos në krye të kombëtares pas Botërorit 2014.
Rezultatet jo shumë pozitive të kohëve të fundit me Barcelonën, i kanë lëkundur jo pak pozitat e Martinos, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të drejtuar ekipin kombëtar.
Në korrikun e vitit 2013 ai nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me Barcelonën dhe në rast se ai largohet me destinacion Argjentinën, duhet të derdhë një shumë të hollash në llogarinë e klubit spanjoll.
Gjithsesi, për momentin kjo hipotezë mbetet vetëm në letër sepse Tata nuk ka dhënë asnjë sinjal largimi sepse në mes qëndron Barcelona, një klub i madh nga i cili nuk mund të largohesh kur dhe ku të duash.
Një nga faktet më të besueshme tek i cili bazohen mediat spanjolle për një largim të mundshëm është hoteli ku Martino jeton. Tekniku nuk ka pranuar të marrë një shtëpi me qera, çka mund të ngrejë hije dyshimi se ai nuk e shikon veten për një kohë të gjatë në Katalunjë.
Por më shumë se dëshira e Martinos, një faktor vendimtar për të ardhmen e tij do të jenë rezultatet në fund të sezonit, pasi nëse aventura e tij 1 vjeçare do të mbyllet pa asnjë trofe, mund të jetë shoqëria katalanase ajo që do ti kërkojë largimin për ti hapur rrugë holandezit De Boer, apo ndoshta ku i dihet...Arsene Wenger-it.