10 Janar 2025

Synojnë majat e Evropës dhe Botës

Vjenë, 9 dhjetor -  Dy sportistët me prejardhje nga Kosova, Hekuran dhe Dardan Avdylaj, po shkëlqejnë në Austri në sportin e kikboksit. Ata për suksese i janë mirënjohës familjes dhe gjithë shqiptarëve, kurse në të ardhmen synojnë t’i prekin majat e Evropës dhe Botës në sportin e kikboksit.

Sportistët shqiptarë nga Kosova çdo ditë e më shumë po lënë gjurmë në sporte të ndryshme anekënd botës. Në mesin e tyre janë edhe dy vëllezërit me prejardhje nga Burimi, Hekuran dhe Dardan Avdylaj, të cilët jetojnë në Austri.
Vëllezërit Avdylaj po tregohen të suksesshëm në sportin e kikboksit dhe për këtë i janë mirënjohës familjes, miqve dhe adhuruesve shqiptarë nga Kosova e më gjerë.

“Suksesi im dhe i vëllait Dardanit ka ardhur falë përkushtimit të prindërve, familjes së gjerë dhe gjithë adhuruesve shqiptarë. Synimet për të ardhmen janë të mëdha. Synojmë tituj në Evropë dhe botë”, ka thënë Hekuran Avdylaj për “Epokën e re”.

Hekurani, edhe pse ka lindur në Austri, e ndien veten shqiptar. “Unë dhe Dardani e ndiejmë veten shqiptarë. Gjithmonë e mbajmë fanellën kuqezi. Duam që sa më shumë të tregojmë se shqiptarët dinë të jenë të suksesshëm”, ka shtuar ai. 


Hekuran Avdylaj me krenari kujton fitoret që ka renditur gjatë karrierës së tij. Ai në karrierën e tij ka regjistruar 23 meçe, ku ka arritur që në 20 prej tyre të dalë fitues, kurse në tri meçet e tjera ka regjistruar një barazim dhe dy humbje.

 “Me sportin e kikboksit kam filluar të merrem nga viti 2007. Deri në vitin 2009 kam pasur stërvitje intensive dhe ndeshje miqësore. Nga viti 2009 e deri në vitin 2011 jam përballur me garues çekë, gjermanë dhe rumunë. Në vitin 2011 jam shpallur kampion i Austrisë për kategorinë deri në 71 kg, kurse një vit më vonë sërish në Austri kam arritur të shpallem kampion në kategorinë deri 75 kg”, ka thënë ai.

Hekurani më pas kishte një lëndim dhe i është dashur të pushojë për një kohë. Në anën tjetër, vëllai i Hekuranit, Dardani, është tre vjet më i ri, por hiç më pak i suksesshëm. Ai nga 21 meçe ka regjistruar 18 fitore dhe 3 humbje.

Dardani është shpallur kampion i Austrisë në vitin 2011 në kategorinë 75 kg, kurse një përvojë të mirë e ka pasur edhe në Hungari në një përballje miqësore deri në kategorinë 81 kg, ku është renditur i dyti. Një tjetër sukses e ka pasur në vitin 2013 në Gjermani, ku arriti të shpallet kampion si përfaqësues i Austrisë.

Dardan Avdylaj ka thënë se më e mira e të gjithave është se të dy vëllezërit merren me sportin e njëjtë dhe kjo i bënë ata edhe më të suksesshëm.

“Kemi fatin që të dy merremi me të njëjtin sport. Kjo është edhe një tjetër arsye që na bënë të suksesshëm dhe kam besim se këto suksese do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Mbështetja nga familja dhe adhuruesit shqiptarë ka qenë e madhe. Synimi ynë është të arrijmë të shpallemi kampionë evrope dhe bote”, ka deklaruar Dardan Avdylaj.
Trajner i dy vëllezërve Avdylaj është Franz Haberl.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)