Sportistët kërkojnë pasaporta diplomatike
Prishtinë, 23 dhjetor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur në takim drejtuesit e Federatës së Xhudos së Kosovës, të prirë nga kryetari Agron Kuka, përzgjedhësin e Përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka dhe kampionet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova.
Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, e uroi ministrin Shala për marrjen e detyrës së re.
Ai e informoi ministrin për të arriturat dhe përgatitjet që janë duke bërë në xhudo, për pjesëmarrje në lojërat olimpike evropiane e botërore, dhe presin që edhe në këto ngjarje të rëndësishme të korrin suksese kulmore.
Ai përmendi edhe vështirësitë me të cilat përballen xhudistët e xhudistet e Kosovës në garat ndërkombëtare.
Ata parashtruan mundësinë e pajisjes së sportistëve me pasaporta diplomatike gjë që do ta lehtësonte përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit në këtë sport.
Ministri Shala i ka përgëzuar FXHK-në, për sukseset e arritura të cilat kanë bërë që Kosova të jetë prezente dhe të na bëjë krenarë në arenën ndërkombëtare në përgjithësi e sidomos në fushën e sportit, duke thënë se kanë mbështetjen e tij të plotë.
Ai e ka cekur se do të interesohet në lidhje me pasaportat diplomatike që sportistët të pajisen me to.
Ai ka theksuar se është i hapur për kërkesat dhe idetë që do të vijnë prej Federatës së Xhudos. Ministri i ka informuar se tashmë ka filluar të punojë në procesin e përmirësimit të infrastrukturës ligjore.
Krahas Ligjit për Sportin, i cili tashmë është pjesë e pakos legjislative të qeverisë, ministria do të punojë shumë në licencimin dhe sponsorizimin në sport.
Këta hapa, sipas ministrit Shala, do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në sigurimin e cilësisë edhe më tej.