11 Janar 2025

Shkodran Mustafi në kombëtaren e Gjermanisë

Berlin, 10 maj - Shkodran Mustafi është nga Maqedonia me origjinë shqiptare që do të luajë në Botërorin e Brazilit me fanellën gjermane.

I lindur në Bad Hersfeld të Gjermanisë, Mustafi ka një origjinë nga Gostivari i Maqedonisë, ndërkohë e gjithë karriera e tij që nga fëmijëria ka qenë e lidhur me përfaqësuesen gjermane, duke filluar nga U-16 deri në U-21.

Por karriera e tij si futbollist nuk ka qenë asnjëherë në nivelet e klubeve më të mëdha në Europë.

Pas skuadrave amatore në Gjermani, Mustafi ka kaluar te Hamburg, për 2 vjet e më pas në Premier League tek Everton, ku u aktivizua vetëm një herë si zëvendësues nga Moyes.

Pavarësisht këtyre lëvizjeve aktivizimi më i madh i tij ka filluar nga viti 2012, kur mbrojtësi me origjinë shqiptare kaloi në Serie A. 49 ndeshje dhe një gol, por shifra të tilla kanë pak më rëndësi sesa fakti që ka qenë nën vëzhgimin e trajnerëve gjermanë të përfaqësueseve të moshave.

E megjithatë edhe vëzhguesve tanë nuk mund t’i shpëtonte një talent i tillë kaq i evidentuar, por qëndrimi në hije i Federatës Shqiptare të Futbollit është një histori e njohur për të gjithë lojtarët e spikatur në Europë që kanë origjinë shqiptare dhe arsyeja është një dhe e vetme, Shqipëria për secilin prej tyre ka qenë zgjedhje e dytë.

Në fillim të këtij viti në një nga mediat lokale gjermane, Mustafi kishte dhënë shenja se ndoshta mund të aktivizohej edhe me përfaqësuesen shqiptare, ftesa i ishte bërë, por edhe në ëndrrën më të bukur Mustafi nuk e kishte pritur një ftesë nga Joachim Loew, trajneri i përfaqësueses gjermane.

Dhe si për të plotësuar ëndrrën e atij dhe për të shuar ëndrrën e Shqipërisë, Loew e përfshin atë 2 ditë më parë në listën paraprake të Kampionatit Botëror, duke na larguar edhe një tjetër alternativë përforcuese për kuqezinjtë, por njëkohësisht duke i shtuar një tjetër shqiptar Botërorit brazilian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)