09 Janar 2025

Shala: Pranimi i Basketbollit në FIBA, lajm gëzueshëm

Prishtinë, 14 mars - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, me rastin e pranimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) uron drejtuesit e FBK-së, basketbollistët kosovarë dhe tërë komunitetin sportiv për këtë lajm të rëndësishëm jo vetëm për basketbollin kosovar por për sportin në përgjithësi.

Ministri vlerëson se pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pranimi i FBK-së në FIBA shënon pranimin më të rëndësishëm që ka ndodhur në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të sportit në vendin tonë.

Ministri Shala përgëzon basketbollistët e FBK-në për këtë hap të jashtëzakonshëm, duke u dëshiruar mbarëvajtje në punën e tyre në të ardhmen dhe suksese sa më të mëdha në garat që do të zhvillojnë, duke falënderuar po ashtu edhe të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre për arritjen e këtij qëllimi.

Ministri Shala ka qenë në vazhdimësi në kontakt me kryetarin e FBK-së, Erolld Belegun, dhe i ka ofruar mbështetjen e plotë në kuadër të ndërkombëtarizimit të basketbollit, duke pasur parasysh faktin se basketbolli është një prej sporteve kolektive dhe më të mëdha në vendin tonë i cili ka një traditë të gjatë ku gjenerata e emra të njohur kanë dalë prej këtij sporti dhe pranimi i FBK-së i ka hapur dyert kësaj federate për pjesëmarrje në gara e ngjarje ndërkombëtare.

Pranimi i FBK-së në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit përveç se është një lajm i gëzuar për vendin tonë në përgjithësi, është edhe një motivim shtesë për ne si MKRS dhe për institucionet e sportit për punë më me përgjegjësi në rritjen e standardit dhe cilësisë.

MKRS mbetet e përkushtuar të punojë që basketbolli dhe sportet tjera të zhvillohen përbrenda në çdo aspekt dhe të jenë shembull që vendi ynë të prezantohet sa më mirë në ngjarjet e organizimet sportive ndërkombëtare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)