Sërish protesta në Brazil kundër Kupës së Botës
Rio de Zhanerio, 17 qershor - Edhe pse Kampionati Botëror ka nisur prej ditësh në Brazil sërish ka pasur protesta të dhunshme.
Gjatë ditës së hënë, para fillimit të ndeshjes mes Iranit dhe Nigerisë me qindra persona kanë organizuar një protestë kundër Kupës së Botës pranë stadiumit ku u zhvillua ndeshja. Protestuesit kanë thyer xhamat e bankave dhe dyqaneve gjatë marshimit të tyre.
Forcat e sigurisë kanë ndërhyrë menjëherë duke ndaluar 14 persona dhe duke shpërndarë pjesën tjetër të protestuesve, ka bërë të ditur një zëdhënës i policisë.
Një tjetër demonstratë është zhvilluar në qytetin verior të Natal. Protestuesit dogjën flamurin amerikan disa orë para fillimit të ndeshjes mes SHBA-së dhe Ganës. Grupi i vogël i protestuesve ishte drejtuar drejt stadiumit ku i ishte duke u zhvilluar ndeshja, por janë shpërndarë nga policia.
Brazili u përfshi nga protestat masive para fillimit të Kampionatit Botëror kundër shpenzimeve të mëdha për organizimin e këtij kompeticioni, por me fillimin e tij protestat e kanë humbur vrullin.