11 Janar 2025

Serbia kërkon që Kosova të luajë pa simbole, FIFA vendos të hënën

Zurich, 10 janar - Takimi i dytë trepalësh ndërmjet krerëve të Federatës së Futbollit të Kosovës, të FIFA-s dhe Federatës së Futbollit të Serbisë, që u mbajt, të premten, në orët e paradites në Cyrih, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete, por janë bërë disa përparime.

Kështu, të paktën ka pohuar kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili pret që të hënën FIFA të dalë me një vendim lidhur me zhvillimin e ndeshjeve miqësore për Përfaqësuesen e Kosovës.

“Takimi i dytë trepalësh ka sjellë disa përparime në krahasim me mbledhjen e kaluar. Tash presim që të hënën FIFA të vendosë lidhur me ndeshjet tona miqësore”, ka thënë shkurt Vokrri. Sipas tij në takim kanë qenë presidenti i FIFA-s, Sep Blatter dhe sekretari i përgjithshëm, Jerome Valcke.

Ndërkohë, mediat serbe raportojnë se delegacioni i FFS-së është i kënaqur me ecurinë e këtij takimi dhe janë të bindur se organet e FIFA-s do të marrin vendim në bazë të kërkesave të paraqitura prej tyre.

“Në thelb, qëndrimet të cilat i kanë paraqitur drejtuesit e FSS-së kanë të bëjnë në pamundësinë dhe mospranimin e të ashtuquajturës Federatë e Futbollit e Kosovës në FIFA e UEFA, derisa të mos zgjidhet statusi i krahinës jugore në OKB. Po ashtu është e papranueshme zhvillimi i çfarëdo qoftë ndeshje zyrtare të klubeve apo përfaqësueseve nga territori i Kosovës në garat ndërkombëtare.

Në fund, pala jonë ka kërkuar që të pamundësohet zhvillimi i ndonjë ndeshje me republikat e ish-Jugosllavisë, të cilat sot janë të pranuara si shtete, si në Kosovë ashtu edhe në territorin e këtyre vendeve”, thuhet ndër të tjera në kumtesën e federatës serbe.

Gjithnjë sipas palës serbe, nëse vjen deri te një vendim për zhvillimin e ndeshjeve miqësore me shtetet që e kanë pranuar Kosovën, atëherë nuk duhet të ketë kurrfarë përdorimi të simboleve shtetërore dhe në fanella krahas emrit Kosovë duhet të jetë edhe fusnota me madhësinë e shkronjës ‘o’. Pasi të dyja palët i kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje me çështjen e futbollit kosovar, drejtuesit e FIFA-s i kanë njoftuar të dyja palët se për këtë çështje do të vendosin organet e saj në takimet e radhës.

Mbledhja e Komitetit për Çështje Urgjente e FIFA-s do të mbahet, të hënën, derisa mbledhja e Komitetit Ekzekutiv në mesin e muajt mars. Megjithatë, sipas drejtuesve të FFK-së vendimi përfundimisht do të merret të hënën.

Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Ivida Dacic, pas takimit me raportuesin e Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, ka deklaruar se shteti serb është në kontakt me shtëpinë e futbollit botëror (FIFA) rreth mundësisë që Kosovës t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore.

Ai ka thënë se nuk e di se deri te çfarë zgjidhje do të vjen, por sipas tij është Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ajo që është e angazhuar të bisedojë rreth kësaj çështje. “Do të ketë këtu presione, si në çdo organizatë tjetër. Të shohim se si do të shkojë kjo çështje”, ka thënë Dacic.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)