Serbi-Shqipëri, shtyhet vendimi i Komisionit të Apelit të UEFA
Gjenevë, 2 dhjetor - Komisioni i Apelit do të mblidhej sot për të dhënë vendimin e tij në lidhje me ngjarjet e dhunshme që ndërprenë ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit.
Por vendimi për ndeshjen ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, është shtyrë. Në fakt, Komisioni i Apelit i UEFA-s do ti shqyrtojë sot ankesat e Shqipërisë dhe Sebrisë, por nuk do ta marrë vendimin final, raporton Zëri.
Këtë e ka bërë të ditur sekretari gjeneral i Federatës Serbe të Futbollit, Zoran Lakoviç për Telegrafin serb, duke theksuar se vendimi definitiv do të merret pas 2-3 javësh, pasi rregullorja parashikon që vendimi të merret 15 apo 20 ditë pas seancës dëgjimore, transmeton Zëri.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe përfaqësuesit e zyrës juridike ndodhen në Nion të Zvicrës për të mbrojtur pretendimet e faktuara në një dosje voluminoze. Me anë të pamjeve të ndeshjes, por edhe kontradiktave në relacionet e zyrtarëve të sfidës në Beograd, Federata Shqiptare kërkon nga Komisioni i Apelit tri pikët e fitores.
Sipas palës shqiptare, ishte e pamundur që ndeshja të luhej pas dhunës së ushtruar ndaj lojtarëve shqiptarë, por edhe dështimin në organizimin e ndeshjes të reflektuar që në fillim me vërshëllimën e himnit, por edhe thirrjet raciste te tifozëve vendas.
Nga ana tjetër, Federata Serbe e Futbollit ka paraqitur pretendimet e saj në Komisionin e Apelit. Ajo kërkon riluajtjen e ndeshjes në një fushë neutrale dhe, sipas medieve lokale, këtu do të bazohet e gjithë mbrojtja e saj.