Sadiku rinovon me Luganon
Bernë, 3 shtator - Armando Sadiku qëndron te Lugano. Sulmuesi shqiptar, kryegolashënues i ligës së dytë zvicerane në sezonin e fundit vendosi të mos largohet nga skuadra aktuale duke rinovuar kontratën dhe për një tjetër vit.
Sadiku, që erdhi sezonin e shkuar te Lugano, kërkohej prej kohësh nga disa klube të Serisë A dhe të Premierligës, me Genoan që qëndronte në pole-position por në fund oferta e presidentit Renzetti duket se e bindi Sadikun që të vazhdonte të luante dhe për një tjetër sezon në Zvicër.
Sulmuesi ishte një prej emrave më të lakuar në tregun e shitblerjeve helvet, aq sa u përfol dhe për një kalim të mundshëm te Baseli, gjithsesi qëndrimi te Lugano mund ta ndihmojë atë që të vazhdojë të fitojë përvojë përpara se të vendosë që të transferohet në një klub më me emër.
Sadiku nuk u grumbullua nga De Biasi për dy ndeshjet e radhës së kombëtares me Slloveninë dhe Islandën por gjithsesi ai mbetet nën vëzhgimin e italianit. Me përfaqësuesen kuqezi në një ndeshje zyrtare, Sadiku ka realizuar në fitoren 3-1 ndaj Qipros.