Ruanda refuzon miqësoren me Kosovën
Prishtinë, 29 shtator - Federata e Futbollit të Ruandës ka informuar FFK-në se për shkak të buxhetit të limituar është detyruar ta anulojnë ndeshjen me Kosovën, e cila ishte planifikuar të luhet në tetor
Pasi që ka pranuar të luaj miqësore me reprezentacionin e Kosovës, Federata e Futbollit të Ruandës ka deklaruar se nuk do ta luaj këtë ndeshje, për shkak të mjeteve financiare. Ky refuzim është transmetuar në uebfaqen ruandeze, Umuseke.rw, sipas së cilës, arsyeja kryesore lidhet me financa.
Zyrtarët e FERWEFA-s (Federata e Futbollit të Ruandës), përmes zyrtarit të tyre për marrëdhënie me publikun e kanë informuar uebfaqen tonë se problemet që lidhen me zbehjen e buxhetit, kanë bërë që të anulohet miqësorja me Kosovën, shkruan në këtë uebfaqe, citon Zëri.
Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll pritej ta zhvillojë një ndeshje miqësore me Ruandën, në muajin tetor, për të vazhduar më pas drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ti luajtur edhe dy miqësore të tjera Kanadanë dhe Panamanë. Por edhe kjo e fundit e anuloi miqësoren, me çrast edhe dështoi udhëtimi atje.
Kombëtarja e Kosovës, nga muaji mars kur FIFA e lejoi të luaj miqësore, i ka zhvilluar katër ndeshje, me Haitin, Turqinë, Senegalin dhe Omanin. Një ndeshje e ka fituar, në njërën ka luajtur baras, ndërsa dy ndeshje i ka humbur.