12 Janar 2025

Rossi shënon golin e parë pas dy viteve

Romë, 28 gusht - Sulmuesi italian, Giuseppe Rossi, po ndihet se është kthyer në rrugën e duhur për t’u bërë një prej sulmuesve më të mirë italianë, pasi shënoi golin e tij të parë me fanellën e Fiorentinës.

Rossi pjesën më të madhe të dy viteve të fundit e kishte kaluar jashtë fushe, pasi pati probleme me lëndime të gjurit dhe u desh të operohej disa herë. Por, tash ish-reprezentuesi i Italisë thotë se gjërat janë më mirë.

Rossi shënoi gol në fitoren 2:1 që Fiorentina e arriti të hënën mbrëma ndaj Catanias, në ndeshjen e xhiros së parë të Serie A të Italisë. Për të është goli i parë zyrtar pas plot dy viteve.

“Jam shumë i lumtur me golin dhe fitoren. Ne kemi vuajtur nga një skuadër e mirë, por jam i kënaqur. Ishte mbrëmje e mrekullueshme për mua, familjen time që ishte në tribuna dhe që më bën të lumtur. Kam kaluar dy-tre muajt e fundit të rehabilitimit tim afër tyre dhe kjo më ndihmoi mjaft”, ka thënë Rossi, përcjell “Sky Sport Italia”.

Rossi ishte në plane të trajnerit të Italisë, Cesare Prandelli, para se t’i nisnin problemet me lëndime, dhe tekniku italian ka thënë se do të vazhdojë ta përcjellë 26-vjeçarin.

“Më gëzon ky besim që ka Prandelli në mua. Unë po shikoj të përmirësohem vazhdimisht, dua të kthehem në formën time më të mirë fizike për të arritur në nivelin e lojës që e kisha në të kaluarën”, ka thënë sulmuesi i lindur në SHBA.

Fiorentina impresionoi edicionin e kaluar, ndërsa disa ekspertë vlerësojnë se skuadra mund të luftojë për titull të kampionit këtë stinor, pas përforcimeve të bëra gjatë afatit kalimtar të verës.

Fiorentina gjatë verës ka transferuar lojtarë si Mario Gomez nga Bayern Muencheni, Joaquin nga Malaga, Josip Iliçiq nga Palermo, ndërsa mesfushori italian Massimo Ambrosini u angazhua si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Milanin.

“Nuk po mendoj për titull të Italisë. Ne duhet të marrim ndeshjet me radhë. Tash jemi të përqendruar për ndeshjen në Ligën e Evropës kundër Grasshopperit”, ka thënë Rossi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)