Rooney, gati rinovimi për 62 milionë euro me United
Manchester, 16 nëntor - Në verë, Wayne Rooney dukej larg Manchester United por tre muaj më pas, situata në Old Trafford për futbollistin ka ndryshuar.
Shtatë golat e realizuar deri në këto momente, pesë prej të cilëve në Premier League kanë shtyrë drejtuesit e klubit anglez ti ofrojnë një kontratë të re anglezit, për më tepër me shifra stratosferike.
Rooney do të përfitojë një rinovim katër vjecar me një vlerë prej 52 milion stërlina, ose 62 milion euro. Sipas asaj që raportojnë mediat brinake, futbollisti do të përfitojë një pagë javore prej 300 mijë eurosh, por gjithashtu dhe të ashtuquajturën paketë shtesë, që do të sjellë të tjera përfitime për të në bazë të titujve të fituar dhe paraqitjeve të tij në fushë.
Marrëveshja e re me Rooney është një dëshirë e trajnerit Moyes, që kërkon ta rilindë atë pas konflikteve që pati me sir Alex Ferguson.
Gjithashtu kontrata e re, është dhe një mënyrë për ti mbyllur derën interesimit të rivalëve si Chelsea dhe PSG që prej kohësh interesohen për blerjen e tij.
Sigurisht që Rooney pati deklaruar se për momentin nuk kërkon të mendojë për të ardhmen, por e ardhmja tashmë i paraqet plot 62 milion arsye për të qënë e kuqe, ashtu si uniforma e United.