Ronaldo mund të rrikthehet në United
Manchester, 9 shtator - Aksi Manchester-Madrid pritet të jetë i nxehtë edhe verën e ardhshme, ku parashikohet një lëvizje e bujshme, rikthimi i Cristiano Ronaldos tek djajtë e kuq.
Topi i Artë mund të ndjekë gjurmët e Angel Di Marias, madje është ky i fundit që bën të ditur se ylli portugez nuk është më i lumtur në Santiago Bernabeu, pasi mund ta shohë veten shumë shpejt jo si lojtari më i paguar në botë.
Mendohet që si Di Maria ashtu dhe Radamel Falcao paguhen aktualisht më shumë se Ronaldo, pa përmendur Rooney që merr gati 300 mijë Paund pas marrëveshjes së re të nënshkruar në muajin Shkurt të këtij viti. Mesfushori argjentinas, një mik i ngushtë i Ronaldos por mbi të gjitha që ka të njëjtin menaxher si ylli portugez ka theksuar se nuk dihet se deri kur mund të qëndrojë Ronaldo në Bernabeu.
26-vjeçari për shtypin anglez deklaron se Topi i Artë nuk është i lumtur në Madrid dhe nuk dihet nëse e ardhmja e tij do të jetë ende me fanellën e bardhë edhe sezonin e ardhshëm. Pakënaqësitë e portugezit i konfirmon edhe agjenti i tij Jorge Mendez që i cilëson si krejt të natyrshme, deklaratat e tilla në një moment të tillë.
Ndaj Ronaldos ka shfaqur interes prej disa kohësh Chelsea, por dihet që dëshira e 29-vjeçarit nëse largohet nga Madridi është rikthimi në Premier League me fanellën e United.
Madje vetë sulmuesi gjatë javës së kaluar ka deklaruar në një intervistë se është ende i dashuruar me qytetin e Manchesterit dhe në veçanti me skuadrën e United.
Tashmë shtypi anglez ka nxituar të bëjë të ditur edhe shifrat e këtij transferimi, me Manchester United që është gati të paguajë 70 milionë Euro për të rikthyer në Old Trafford ish beniamin e tifozerisë, për të rikthyer pretendimet e skuadrës, që përveç afrimit të Luis Van Gal në drejtim ka bërë për vete yje si Di Maria dhe Falcao.