Reali pa Ronaldon në Champions
Madrid, 25 nëntor - Real Madrid do të luajë pa Cristiano Ronaldon të mërkurën kundër Galatasaray.
Dëmtimi i portugezit, ashtu siç u tha që në fillim, nuk është serioz por vetë lojtari, si dhe stafi mjekësor i klubit merengues nuk e preferojnë sforcimin dhe me shumë gjasa rikthimi në fushë i tij do të jetë të Shtunën përballë Valladolid.
Gjithsesi mundësitë mbeten të hapura dhe Carlo Ancelotti mund të ndryshojë mendje në momentin e fundit për aktivizimin e Ronaldos ndaj skuadrës turke.
Portugezi u dëmtua në takimin e fundit në kampionat ndaj Almerias pas një goditje që mori nga Aleix Vidal, por nuk ka vend për panik pasi rezultatet e para të kontrolleve treguan një gjendje të mirë të futbollistit.
Në rast se nuk do të jetë në fushë të mërkurën, për Ronaldon do të jetë ndeshja e pestë që humbet në Champions League që prej transferimit te Real Madrid.
Deri tani, ai ka luajtur në 44 nga 48 ndeshje që Los Blancos kanë zhvilluar gjithsej në 5 sezonet e fundit të Championsit.
Ka humbur të dyja përballjet me Milanin në sezonin 2009-2010 për shkak dëmtimi, ndërsa nuk ka luajtur edhe ndaj Dinamo Zagreb dhe Ajaxit 2 vjet më pas, por në të dyja këto raste, qëndrimi i Ronaldos në stol ishte zgjedhje e Mourinhos për ta lënë pushim me kualifikimin që ishte siguruar për Realin.
Për sa i përket Topit të Artë, mosaktivizimi i yllit madrilen thuajse nuk ndikon fare. FIFA e mbyll procesin e votimit të premten dhe ndeshja e fundit që do të merret në konsideratë për Ronaldon do të jetë ajo kundër Almerias, ku shënoi golin e avantazhin në minutën e 3-të.