Reali në sulm për Vidal
Madrid, 27 maj - Entuziazmi për "La Decima"-n mund të shoqërohet me shpërblime për Ancelottin në merkaton verore të Realit të Madridit.
Teknikut italian mund ti lihet në duar çeku i bardhë për listën e shpenzimeve, ku ndër emrat e parë është ai i Arturo Vidal. Eshtë një tratativë e vështirë, por jo e pamundur me Juventusin që është i vetëdijshëm dhe i gatshëm ta humbasë kilianin për një shifër të majme të ardhurash.
Me drejtuesve të dy klubeve, rasti më i mirë për të diskutuar është miqësorja e 2 Qershorit, kur në Torino do të luajnë legjenda të së shkuarës historike të Realit e Juventusit.
Gjithsesi pa u ulur ende në tryezë, ajo që dihet është se bardhezinjtë pa të paktën 60 milionë euro nuk e konsiderojnë të hapur ankandin për kartonin e Vidal.
Eshtë një shifër tepër e lartë, por ky nuk është një problem për presidentin e madrilenëve, Florentino Perez, pavarësisht kërcënimeve që kanosen nga UEFA për zbatimin e fair-play financiar.
Te Juventusi më shumë preferojnë të flasin për kilianin sesa për francezin Pogba, ndërkohë që në tratativa mund të përfshihet edhe ndonjë lojtar i "Los Blancos".
Di Maria është ëndrra e Contes, por argjentinasi konsiderohet kolonë e paprekshme e projektit madrilen. Megjithatë nga trajneri i kampionëve të Italisë pëlqehen edhe Morata, Coentrao e Marcelo.