Reali, ekipi më me vlerë në botë
Rivalët e të njëjtit qytet do të sfidohen në finalen e Champions League, më 24 Maj në Lisbonë, por Atletico duket në pamje të parë se e ka shumë të vështirë takimin, duke parë pabarazinë e theksuar ekonomike mes tyre.
9 herë kampionët e Europës, Real Madrid, kryeson listën e Forbes-it si klubi më i vlefshëm i futbollit në botë, pasi vlera e Los Blancos-ve përllogaritet në 3,44 miliardë dollarë.
Ekipi nga Santiago Bernabeu i cili ka në gjirin e tij fituesin e Topit të Artë, Cristiano Ronaldo, kanë deklaruar një fitim prej 675 milionë dollarësh për sezonin 2012-14, ndërsa të ardhurat operative i kanë në 172 milionë dollarë.
Në kontrast me ta, Atletico është shumë herë më poshtë në renditjen për nga gjendja financiare, teksa Forbes e klasifikon atë të 17-tin, me vlerën prej 328 milionë dollarësh.
Edhe pse me një distancë të tillë, Atletico po tejkalon forcat e veta në betejën për titullin e La Ligës në Spanjë, kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje për tu zhvilluar, pasi ekipi i Diego Simeone-s është në krye, 3 pikë më shumë se Barcelona e vendit të dytë dhe 4 pikë më shumë se Reali i vendit të tretë.
Atletico ka suprizuar të gjithë me paraqitjen impresive deri në finalen e kompeticionit më madhor për klube në Europë, hera e parë kjo që Los Rojiblancos arrijnë në këtë fazë pas 40 vitesh.
Barcelona është renditur e dyta sipas Forbes, me vlerën prej 3,28 miliardë dollarë, ndërsa Manchester United kap vendin e fundit në podium, me 2,81 miliardë dollarë.
Bayern Munchen, kampionët në fuqi të Europës por tashmë të eliminuar, si dhe kampionë Gjermanisë, janë në vendin e 4-t me një vlerë prej 1,85 miliardë dollarë, një hap përpara Arsenalit me 1,33 miliardë dollarë.
Ja dhe lista e ekipeve me vlerë më të lartë sipas Forbes në 2014-n:
1. Real Madrid (3.44 miliard dollarë)
2. Barcelona (3.2 miliard dollarë)
3. Manchester United (2.81 miliard dollarë)
4. Bayern Munich (1.85 miliard dollarë)
5. Arsenal (1.33 miliard dollarë)
6. Chelsea (868 milionë dollarë)
7. Manchester City (863 milionë dollarë)
8. AC Milan (856 milionë dollarë)
9. Juventus (850 milionë dollarë)
10. Liverpool (691 milionë dollarë)