PSG kontratë marramëndëse për Cavanin
Paris, 28 shtator - Edinson Cavani është lojtari më i paguar uruguajan në botë. Sipas një shkrimi të publikuar nga e përditshmja spanjolle Marca, bomberi i transferuar këtë verë nga Napoli te Paris Saint Germain, do të përfitojë plot 47 milionë Euro në 5 sezone te skuadra franceze.
Sipas kontratës së zbuluar nga mediat, një pikë interesante në të është edhe ajo ku thuhet se Edinson ka mundësinë të arkëtojë 600 mijë në sezon për sjellje të mirë.
Kështu, sipas përllogaritjeve, 26-vjeçari i lindur në qytetin Salto, ka një pagë prej 9.5 milionë Eurosh në sezon, ndërsa bonuesi për fitoren në Ligën e Kampioneve shkon deri në 2.5 milionë Euro. Por nuk përfundon me kaq pasi Paris Saint Germain kampion France do të thotë + 1.2 milionë Euro për xhepat e Matadorit.
Edinson Cavani e ka nisur karrierën te Danubio Montevideo, ndërsa trampolina e tij në Europë u bë Palermo që e shiti te Napoli për 16 milionë Euro.
Pas disa sezoneve në Serie A, shoqëria e presidentit Aurelio de Laurentiis pranoi ofertën e Psg prej 64 milionë eurosh, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë i Ligue 1 pasi zbriti në vendin e dytë kolumbianin Radamel Falcao, i cili u transferua te Monaco për rreth 4 milionë Euro më pak.