Prezantohen projektet për ndërtimin e Pallatit Olimpik
Prishtinë, 23 qershor - Në kuadër të Ditës Olimpike Ndërkombëtare, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, prezantoi sot para publikut dhjetë projekt-propozimet në formë maketi për Pallatin Olimpik, objekti ku do të vendosen Komiteti Olimpik i Kosovës, Komiteti Paraolimpik i Kosovës dhe Federatat e Sporteve të Kosovës.
Në ceremoninë e prezantimit publik morën pjesë ministri Memli Krasniqi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani dhe drejtues të federatave.
Ministri Krasniqi pasi uroi sportistët për Ditën Botërore Olimpike theksoi se kjo ditë është e veçantë edhe për sportin në Kosovë, pasi sot po bëhet hapja e projekteve për ndërtimin e Pallatit Olimpik të Kosovës, shtëpisë së sportit të Kosovës.
Ky do të jetë një objekt që i ka munguar më herët sportit, është një shtëpi për të gjitha federatat, për Komitetin Olimpik dhe atë Paraolimpik. Do të jetë një institucion i rëndësishëm i yni, tha ministri.
Ai shprehu kënaqësinë që këtë projekt ambicioz, i cili ka qenë në ide që në fillim të mandatit për tu realizuar.
Dua ti përgëzoj Komitetin Olimpik, Paraolimpik, federatat sportive për punën e madhe që e kanë bërë në vazhdimësi, edhe ky projekt është në vazhdën e punëve të përbashkëta që po bëjmë dhe është një mirënjohje për punën e tyre dhe të gjithë sportistëve të Kosovës, shtoi ministri.
Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, vlerësoi se është një ditë e shënuar kjo kur po bëhet prezantimi i projekteve për Pallatin Olimpik ngase po krijohen hapësira për drejtuesit e sportit për të kryer detyrat e aktivitet e tyre.
Është ky një objekt i cili na ka munguar dhe tash edhe kjo po realizohet, kështu që sinqerisht dëshiroj të edhe ministrinë për të gjitha këto obligime ndaj sportistëve që i kanë kryer deri më tani, tha kryetari Hasani.
Projektet në formë maketi do të vlerësohen nga juria profesionale e përbërë nga përfaqësues të ministrisë, të KOK-ut, të Shoqatës së Gazetarëve Sportivë dhe nga publiku përmes votimit. Qytetarët do të kenë mundësinë që të votojnë për tri projektet më të mira dhe 20% në vlerësimin final të projekteve konkurruese shkojnë nga ky votim. 80% e vlerësimit i takon Jurisë Profesionale. Votimi publik zgjatë 5 ditë, nga sot deri të premten në ora 15:00.
Ky objekt është investim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, prej rreth 1.5 milionë euro, që do të fillojë të ndërtohet këtë vit.
----------------------------------------------------------------------------------------------------