Presidentja Jahjaga priti futbollistët e Kombëtares së Kosovës
Prishtinë, 4 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti në takim drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe futbollistët e Kombëtares së Kosovës, në vigjilje të takimit të parë ndërkombëtar që e zhvillon kjo Kombëtare, që nesër në Mitrovicë do të zhvillojë takimin miqësor me Kombëtaren e Haitit.
Në një takim të përzemërt, Presidentja Jahjaga përgëzoi drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës për punën e madhe që kanë bërë për të arritur deri kjo ndeshje, ndërsa futbollistëve të Kombëtares u dëshiroi sukses në përfaqësimin e shtetit tonë.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ia dhuroi Presidentes Jahjaga fanellën e Kombëtares së Kosovës.
Në një deklaratë bërë pas takimit, Presidentja Jahjaga theksoi se \"Jo shpeshherë në jetë na jepet mundësia që të bëjmë historinë, por ju duhet të ndjeheni të nderuar, të privilegjuar dhe krenarë që e përfaqësoni shtetin tonë, që përfaqësoni Republikën e Kosovës, një vend entuziast dhe optimist, një vend që udhëhiqet nga shpresa dhe vizioni, një vend që udhëhiqet nga këto vlera, për një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese.\"