Portugalia shumë pranë skualifikimit
Rio de Zhanerio, 23 qershor - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përmbysur epërsinë e Portugalisë nga pjesa e parë, mirëpo evropianët arritën të barazojnë (2-2) në fund të takimit të zhvilluar në Arena Amazonia në Manaus.
Portugezët e filluan jashtëzakonisht mirë takimin duke bërë presion dhe shumë shpejt erdhën te goli i epërsisë. Geoff Cameron e pastroi keq topin duke dërguar te këmbët e anësorit Nani, i cili realizoi nga afërsia (5).
Amerikanët e kthyen ritmin e lojës duke krijuar disa raste dhe duke rrezikuar portën kundërshtare, mirëpo nuk u treguan të saktë.
Ku afrohej fundi i pjesës së parë, Nani e goditi shtyllën, ndërsa goditjen e Eder e mbrojti portieri amerikan.
Amerikanët ishin bindshëm më të mirë në gjysmën e dytë duke krijuar raste të shumta dhe arritën që ta përmbysnin rezultatit.
Pas një super-rasti të Bradleyt që u mbrojt nga Ricardo Costa që luajti rolin e portierit, erdhi goli i barazimit. Jermaine Jones shënoi një gol fantastik (64).
Dhe derisa Cristiano Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij nuk bënin asgjë, amerikanët e realizuan edhe golin e epërsisë. Pas angazhimit përpara portës portugeze dhe pas një pasimi nga Graham Zusi, Clint Dempsey arriti të realizojë me bark (81).
Silvestre Varela e barazoi rezultatin në minutat shtesë (90+5) pas asistimit të Ronaldos, për të mbajtur gjallë ato pak shpresa për kualifikim.
Me fitore ose barazim kundër Gjermanisë, Shtetet e Bashkuara sigurojnë kualifikimin në të tetën e finales. Amerikanët kualifikohen edhe nëse humbin, por me kusht që Portugalia dhe Gana të luajnë baras.
Në rast se SHBA-të humbin dhe Portugalia fiton ndaj Ganës, atëherë do të merret parasysh diferenca e golave që po ashtu është në favor të amerikanëve. Portugalia duhet të fitojë me shumë gola përballë Ganës dhe të shpresojë që SHBA-të të humbin me shumë gola nga Gjermania.