Portugalia pranon dëmtimin e Cristianos
Lisbonë, 4 qershor - Federata Portugeze e Futbollit ka pranuar për herë të parë që kur ka nisur grumbullimi i kombëtares luzitane se Cristiano Ronaldo ka një dëmtim në gjurin e këmbës së djathtë.
Sulmuesi ka pasur probleme në muajt e fundit me dëmtimet dhe nuk ka luajtur disa ndeshje me Realin, por klubi madrilen kurrë nuk ka lëshuar asnjë komunikatë mjekësore.
Mjekët e Portugalisë kishin folur gjatë këtyre ditëve për probleme muskulare, por jo për dëmtim në gju, ashtu siç lexohet në komunikatën e Portugalisë.
Reali është shumë i shqetësuar për gjendjen fizike të lojtarit më të mirë të skuadrës dhe komunikata mjekësore është një shenjë e qartë se Cristiano Ronaldo rrezikon shumë të dëmtohet seriozisht nëse sforcohet gjatë Botërorit.
Edhe pse i dëmtuar, sulmuesi u stërvit të martën bashkë me përgatitësin e përfaqësueses portugeze Antonio Gaspar.