Pogba: Dua të bëhem më i miri në botë
Torino, 27 tetor - Pogba shpjegoi ndryshimet e mëdha që ka pësuar karriera e tij të cilat e kanë kthyer atë në futbollistin që është sot.
Paul Pogba dëshiron të shndërrohet në futbollistin më të mirë të botës. Nuk fshihet talenti i Juventusit i cili në një intervistë u shpreh se fillimisht kërkon të fitojë sa më shumë famë në futbollin italian ndërsa më pas edhe në Evropë, ndërkohë që theksoi se dëshiron të bëjë mirë edhe me kombëtaren e Francës.
Unë nuk mund të parashikoj të ardhmen por dua të bëj gjithçka që është e mundur për të fituar sa më shumë trofe. Është pikërisht kjo arsyeja se përse do të vazhdoj të punoj fort. Objetivi im është të kthehem një ditë në lojtarin më të mirë të botës, ka theksuar Pogba.
Ai më pas shpjegoi ndryshimet e mëdha që ka pësuar karriera e tij e deritanishme, ndryshime këto që e kanë kthyer atë në futbollistin që është sot.
Çdo ndryshim ka qenë i rëndësishëm për mua. Fillimisht Le Havre më pas Manchester United dhe tashmë Juventusi. Të ndaja dhomat e zhveshjes me futbollistë të klasit Botëror ka qenë dicka shumë e rëndësishme në rritjen time. Bashkëjetesa me kampionë të mëdhenj, më ka shtuar edhe më tepër dëshirën që një ditë edhe unë të jem mes më të mirëve të botës në futboll, ka shtuar Pogba.
Në fund një mendim i 21-vjecarit shkoi edhe për dy trajnerë shumë të rëndësishëm në karrierën e tij të deritanishme, Antonio Conten dhe Didier Deschamps.
Jam përmirësuar me të dy. Deschamps për shembull më njeh shumë mirë dhe di si të më vendosë në fushë. Didier më ndihmon cdo ditë për të përmirësuar, nuk ka rëndësi fakti se nëse jemi në stërvitje apo duke zhvilluar një ndeshje, ka përfunduar francezi.