Platini kërkon Botëror me 40 ekipe
Paris, 15 nëntor - Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, përjashtoi mundësinë e reduktimit të numrit të skuadrave europiane që marrin pjesë në Kupën e Botës, që aktualisht është 13.
Ulja e numrit të përfaqësueseve europiane përjashtohet. Më parë kishte 15, tani ka 13. Nuk do të ketë reduktim të mëtejshëm, tha Platini gjatë një konference në Moskë të Rusisë.
Francezi është dakord që Botërori të zhvillohet me 40 ekipe dhe jo 32 siç zhvillohet për momentin. Idea është që të shtohen shtetet afrikane që marrin pjesë pasi ky kontinent ka 54 kombe dhe 5 vende në Botëror, ndërsa Europa ka 53 kombe dhe 13 finalistë.
Duhet që Kupa e Botës të ketë 40 kombëtare pjesëmarrëse. Mund të shtojmë dy nga Afrika, dy nga Azia, një nga Oqeania dhe një nga Europa. E mbështes plotësisht këtë ide, tha Platini.
Kreu i UEFA-s mendon që Kupa e Botës që do të zhvillohet në Katar në vitin 2022 duhet luajtur në periudhën e dimrit për shkak të temperaturave shumë të larta të vendit arab gjatë verës: Mendoj se kompeticioni duhet të zhvillohet në dimër, pasi në verë është e pamundur. Gjithsesi, është një vendim politik që nuk më përket mua.