Neymar: Mund të kisha përfunduar në karrocë për gjithmonë
Rio de Zhanerio, 11 korrik - Ndërhyrja e rëndë e Zuniga-s ndaj Neymar në ndeshjen çerekfinale mes Kolumbisë dhe Brazilit e detyroi ylli brazilian ta përfundonte para kohe Botërorin e shumëpritur prej tij.
Mes lotësh ylli brazilian ka folur para gazetarëve mbi dëmtimin, si edhe për humbjen turpëruese 7-1 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale.
Nuk mund të them se Zuniga kishte si synim të më dëmtonte mua, nuk e di se çfarë kishte ai në kokën e tij, por të gjithë ata që e ndjekin futbollin e kanë kuptuar që ajo nuk ishte një ndeshje normale. Më mbrojti zoti, mund të kisha përfunduar në karrocë për gjithmonë, u shpreh Neymar.
Neymar tha se një ditë pas ndeshjes, Zuniga i kishte kërkuar falje. Nuk e urrej, nuk mund ta quaj armik, tha ai.
Lojtari i Barcelonës u distancua nga komentet e bëra nga agjenti i tij, Wagner Ribeiro, mbi trajnerin Scolari, të cilin ai e kishte cilësuar si të vjetër, arrogant dhe qesharak.
Nuk mund ta mbështes atë që Riberiro ka thënë për Scolarin, është shprehur Neymar, i cili ka shtuar se pavarësisht humbjes së thellë ndaj Gjermanisë ai është krenar për shokët dhe kombëtaren e tij.
Nuk më vjen turp që jam brazilian, përkundrazi, jam krenar për këtë kombëtare, shtoi ai.