Ndërpritet ndeshja Serbi-Shqipëri, flamuri shqiptar fluturon mbi Beograd
Beograd, 14 tetor - Ndërpritet përfundimisht ndeshja Serbi-Shqipëri,pas tensionit që shkaktoi në stadium fluturimi i flamurit tëtelekomanduar.
Ndeshja Shqipëri-Serbi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit më 2016, e cila u mbajt në Beograd është pezulluar në minutat e fundit të pjesës së parë të lojës, për shkak të tensioneve në stadium.
Gjatë ndeshjes, e cila u zhvillua pa praninë e tifozëve të kombëtares shqiptare, me rekomandimin e Federatës Evropiane të Futbollit, arbitri vendosi t\'i largojë lojtarët e të dyja ekipeve.
Në stadiumin Partizan të Beogradit, zbarkuan forca të shumta të sigurisë, por pas një pritjeje më të gjatë, ndeshja u ndërpre edhe zyrtarisht, me udhëzimin se \"informacionet më të hollësishme do të pasojnë\".
Ndonëse tensionet ishin të pranishme që nga fillimi i ndeshjes, ato kulmuan në kohën kur një lojtar i kombëtares serbe hodhi poshtë flamurin kombëtar shqiptar, i cili valëvitej përmes një fluturakeje të dirigjuar nga larg.
Kjo ka nxitur reagimin e lojtarëve të kombëtares shqiptare, dhe incidenti u pasua me ndërhyrjen e një numri tifozësh serbë në stadium.
Tension dhe aspak futboll në stadiumin e Partizanit të Beogradit, ku takimi mes Serbisë dhe Kombëtares sonë është ndërprerë në pjesën e parë.
Që në nisje takimi është shoqëruar me sharje që vinin nga shkallët e stadiumit në drejtim të lojtarëve shqiptarë. Në vijim deri në ndërprerje ndaj kuqezinjve janë hedhur fishekzjarrë, shishe uji dhe sende të tjera të forta.
Në minutën e 42-të të takimit një flamur shqiptar u pa të fluturonte mbi fushë sipër kokave të lojtarëve me një helikopter të komanduar. Kjo ka acaruar futbollistët serbë të cilët kanë kapur flamurin dhe e kanë mbështjellë atë me shpërfillje për ta hedhur tutje.
Kjo ka sjellë edhe ndërhyrjen e lojtarëve shqiptarë dhe kaq ka mjaftuar që në fushë të futeshin edhe tifozë serbë. Forca të shumë policie kanë filluar të boshatisin stadiumin me qëllim vijimin e ndeshjes normalisht.
Në flamur duket harta e Shqipërisë me të gjithë trojet e saj të mbetura jashtë, bashkë me fotot e Isa Boletinit dhe Isamail Qemalit. Në fund të tij shkruhet me shkronja të mëdha Autokton.
Mësohet se në fillim janë larguar tifozët fanatikë të Serbisë, të cilët janë edhe shkaktarët e incidenteve në fushë.