Mustafa priti lojtarët dhe drejtuesit e KB Sigal Prishtinës
Prishtinë, 4 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim lojtarët dhe drejtuesit e KB Sigal Prishtinës, të cilët triumfuan në Ligën Ballkanike në basketboll, para pak ditësh.
Gjatë pritjes, kryeministri Mustafa vlerësoi angazhimin, performacën dhe rezultatin e arritur nga ky ekip, duke fituar trofeun e Ligës Ballkanike.
Sipas kryeministrit Isa Mustafa, ky sukses dëshmon potencialin e madh të basketbollistëve dhe të gjithë sportistëve të tjerë në Kosovë.
Kryeministri Mustafa tha se fitorja e Prishtinës në këtë ligë ballkanike, është një motiv i madh për të gjitha të rejat dhe të rinjtë e Kosovës, për tu angazhuar dhe për të arritur rezultate në garat sportive vendore dhe ndërkombëtare.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu shprehu përkrahjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës për basketbollin dhe sportet e tjera kosovare, të cilat tashmë, pas ndërkombëtarizimit gjithnjë e më të madh, do të nderojnë në vazhdimësi Kosovën me rezultate kulmore.
Zyrtarët dhe basketbollistët e KB Sigal Prishtinës, e kanë falënderuar për përkrahjen dhe e kanë njoftuar kryeministrin Isa Mustafa për angazhimin dhe përpjekjet e tyre për të fituar këtë trofe, duke premtuar arritje edhe më të mëdha në garat e tjera ndërkombëtare.
Kryeministri Mustafa dhe zyrtarët e KB Sigal Prishtinës biseduan edhe për nevojën e përmirësimit të kushteve të sallës ku zhvillon ndeshjet ky ekip, me ç rast, kryeministri Mustafa premtoi përkrahje në infrastrukturën e sallave sportive.