Mourinho i jep Rooneyt 48 orë afat për të vendosur
Unitedi insiston se sulmuesi nuk është në shitje, ndërsa ai shkëlqeu në barazimin pa gola të Menjus me Chelsean të hënën mbrëma në \"Old Trafford\".
Rooney 27-vjeçar, më herët kishte thënë se dëshiron të largohet pasi është konfuz dhe i inatosur me rolin e tij te Unitedi.
\"Në njërën mënyrë apo tjetrën, ai duhet të thotë \'unë dua të largohem apo \'unë dua të qëndroj\'. Personi që ka nisur këtë storie duhet ta mbyllë. Për të mirën e të gjithëve, është koha të mbyllet kjo storie\", ka thënë Mourinho.
Mourinho ka shtuar se vetë sulmuesi anglez ka nxitur një lëvizje drejt Chelseat pasi i ka thënë \'dikujt shumë të rëndësishëm në karrierën e tij\' se dëshiron të largohet nga Unitedi.
I pyetur se sa gjatë do të presë para se të bëjë lëvizje për lojtarë të tjerë - ku sulmuesi i Anzhit, Samuel Eto\'o, është alternativa kryesore - Mourinho është përgjigjur: \"24 orë apo 48 orë\".
\"Nëse shikoni te një trajner si unë, te një klub siç është ky yni dhe te njerëzit që punojnë në klub me mua, ne nuk jemi aq të çmendur që të tentojmë të marrim një lojtar nga një klub i madh i cili nuk dëshiron të lëvizë. Ne nuk jemi të çmendur të nisim diçka që nuk e ka nisur dikush më parë\", ka shtuar portugezi. \"Nëse ai dëshiron të largohet, atëherë duhet të thotë, apo nëse ka vendosur të qëndrojë le të thotë këtë\".
Reprezentuesi i Anglisë ka marrë përkrahje të madhe në ndeshjen e së hënës si nga tifozët e Unitedit ashtu edhe nga ata të Chelseat. Manchester Unitedi ka refuzuar dy oferta të Chelseat për Rooneyn, ndërsa trajneri i Menjus, David Moyes, ka insistuar se sulmuesi nuk është në shitje.
\"Unë jam shumë i lumtur me paraqitjen e tij dhe me reagimin e tifozëve. Mendoj se Wayne aktualisht ka një mendje pozitive. Nuk besoj se ka nevojë të ndërrojë ambient. Mendoj se performanca e tij ka thënë mjaftueshëm. Mendoj se veprat e tij kanë treguar se ai ka menduar\", ka thënë Moyes.
Mourinho po ashtu ishte i impresionuar me paraqitjen e Rooneyt.
\"Ai u tregua profesionist i vërtetë. Ai ka luajtur për klubin e tij, për klubin që e paguan, dhe u mundua të fitojë ndeshjen. U mundua të shënonte. Luajti një ndeshje fantastike në rrethana të vështira dhe e përgëzoj për këtë. Ishte fantastike pasi shumë lojtar në situatën e tij nuk do të shpreheshin në fushë\", ka thënë Mourinho.
Portugezi po ashtu ka përgëzuar përkrahjen që tifozët e Unitedit i dhanë Rooneyt.
\"Ishte fantastike. Në shtetet e tjera nuk do të ishte e mundur kjo. Ishte shumë angleze\", ka thënë ai.
Mourinho ka mohuar sërish se mesfushori ofensiv spanjoll, Juan Mata, do të largohet nga Chelsea. Mata nuk u aktivizua fare kundër Unitedit.
\"Ai është shumë i rëndësishëm për Chelsean dhe storiet që po dalin janë të pakuptimta. Nuk ka fare mundësi që Juani të largohet\", ka thënë Mourinho.