Monaco i ofron Rolandos rrogë 20 milionëshe
Monaco, 14 shtator - Vazhdimi i kontratës së Cristiano Ronaldos me Real Madridin duket një çështje ditësh, por derisa kjo histori të zgjidhet, ylli portugez ka mundësi të studiojë edhe mundësi të tjera.
28 vjeçari është takuar dy herë me pronarin e Monacos, Dmitry Rybolovlev, shkruan e përditshmja franceze Le 10 Sport.
Takimet janë organizuar nga përfaqësuesi i CR7, Jorge Mendes. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Ronaldos i është ofruar një kontratë prej 20 milionë eurosh në sezon.
Përkundër kësaj oferte stratosferike, ish futbollisti i Manchester Unitedit, pa hezitim e ka refuzuar mundësinë që ta ndërrojë klubin dhe duket se në ditët e ardhshme do ta zyrtarizojë vazhdimin e kontratës me Los Blancos.