MKRS ndan 60 mijë euro për Federatën e Volejbollit
Prishtinë, 10 korrik - Sot, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi mes MKRS-së e Federatës së Volejbollit të Kosovës.
Nëpërmjet këtij Memorandumi Bashkëpunimi, MKRS-ja subvencionon FVK-në me 60 mijë euro, për pjesën e mbetur të programit të këtij viti.
Ministri Kujtim Shala, me këtë rast, përgëzoi FVK-në për punën e deritashme dhe sukseset e treguara. Ai e konfirmoi mbështetjen për FVK-në, duke u zotuar se MKRS-ja është e përkushtuar që të ndihmojë sportistin kosovar në rrugën e përparimit të mëtutjeshëm të tij.
Siç kemi bërë të ditur në disa raste, nëpërmjet këtyre memorandumeve të bashkëpunimi, MKRS-ja po ndihmon në pavarësimin financiar të federatave, si dhe po krijon lehtësira që ato të funksionojnë me efikasitet sa më të plotë.
Gjatë ditëve në vijim, MKRS-ja do të nënshkruajë memorandume të ngjashme edhe me disa federata.