Ministri Shala premton përkrahje për Federatën e Basketbollit
Prishtinë, 19 dhjetor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, u takua sot me kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu dhe anëtarët e Bordit të FBK-së.
Në këtë takim njoftues u bisedua për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, të arriturat në këtë sport në vendin tonë si dhe punët e sfidat në të ardhmen të basketbollit kosovar me theks të veçantë të ngritjes së cilësisë dhe ndërkombëtarizimit me të drejta të plota në federatat përkatëse evropiane e botërore të këtij sporti.
Ministri Shala e informoi kryetarin Belegu se tashmë ka filluar të punojë në procesin e përmirësimit të infrastrukturës ligjore.
Ministria do të punojë shumë në licencimin dhe sponsorizimin në sport, duke i kushtuar rëndësi edhe kategorizimit të sportit.
Kjo, sipas ministrit Shala, do të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe përkrahjen e merituar për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe federatat sportive.
Ministri shprehu gatishmërinë e tij të plotë dhe të MKRS-së për bashkëpunim me FBK-në duke e premtuar kryetarin Belegu se përkrahja për basketbollin dhe sportin në përgjithësi do të vazhdojë edhe më tej.
Baza e cilësisë në sport është tek puna që bëhet në klube. Ne do të përpiqemi bashkërisht me FBK-në, KOK-un dhe komunitetin sportiv që angazhimi ynë të fokusohet në këtë drejtim, në mënyrë që të kemi përfaqësim sa më konkurrues brenda dhe jashtë vendit, tha ministri Shala.
Ndërsa, kreu i FBK-së, Erolld Belegu e uroi ministrin për marrjen e detyrës së re.
Ai e falënderoi ministrin Shala për pritjen dhe për gatishmërinë e tij për mbështetje dhe shprehu bindjen që edhe në të ardhmen FBK do të ketë mbështetjen e MKRS-së.
Gjithashtu, kryetari Belegu e informoi ministrin Shala për aktivitetet dhe planet që ka për të ardhmen në funksion të përmirësimit të kushteve dhe ngritjes së cilësisë së basketbollit kosovar.
Belegu veçoi punën me gjeneratat e reja në nxjerrjen e talenteve që do të jetë baza për zhvillimin e basketbollit për të ardhmen.
Ai përmendi edhe nevojën e miratimit të ligjit për sponsorizim i cili do të krijonte lehtësira për kërkesat tashmë në rritje nga federatat sportive për përkrahje pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës.