Ministri Shala inspektoi punimet në Palestrën Sportive në Skenderaj
Prishtinë, 8 korrik - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i shoqëruar nga zëvendësministri, Rexhep Hoti, vizitoi Komunën e Skenderajt, ku u pritë nga nënkryetari Fadil Nura.
Ndërmjet ministrit Shala dhe nënkryetarit Nura u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Skenderajt, veçmas në projekte kapitale, siç është Palestra e Sporteve, projekt ky që po realizohet në këtë qytet, sipas standardeve bashkëkohore dhe për të cilin projekt MKRS-ja sivjet ka ndarë 400 mijë euro.
Ministri Shala e vlerësoi bashkëpunimin me komunën, dhe po ashtu u zotua se do të vazhdojë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen, në fusha me interes të përbashkët, dhe në të mirë të qytetarëve të Komunës së Skenderajt.
Nënkryetari Nura e falënderoi ministrin Shala për mbështetjen e vazhdueshme, sidomos në projektin e Palestrës Sporteve, duke e vlerësuar këtë projekt si tejet të rëndësishëm për Skenderajn.
Pas vizitës në komunë, ministri Shala i shoqëruar nga zëvendësministri Hoti dhe nënkryetari Nura, inspektoi punimet që po bëhen në Palestrën Sportive të këtij qyteti.
Ministri Shala pas inspektimit të punimeve vlerësoi se punimet tanimë po ecin sipas dinamikës së paraparë dhe ky projekt pritet së shpejti të finalizohet.