Messi largohet nga Barcelona, kalon në Bayern ose Francë
Barcelonë, 23 nëntor - Messi në fund të këtij edicioni do të largohet nga skuadra e Barcelonës. Kështu ka insistuar Francois Gallardo në emisionin e tij sportiv Punto Pelota, të enjten mbrëma.
Gallardo, i cili është gazetar dhe agjent i FIFA-s për lojtarët, ka thënë se këtë informacion e ka marrë nga burime të sigurta brenda ekipit të Barcelonës.
Shkurorëzimi i yllit më të madh të futbollit me një prej skuadrave më të mëdha, mund të ndodh për shkak të akordit të munguar mes palëve për rritje të pagës të lojtarit.
Sipas tij, klubi kampion i Spanjës e ka të pamundur të rishikojë kontratën e Messit, i cili për këtë arsye është ndier i tradhtuar.
Mësohet se Messi ka kërkuar me çdo kusht rritjen e pagës pas rinovimit të Cristiano Ronaldos me Real Madridin, me çka portugezi është kthyer sërish në lojtarin më të paguar në botë.
Tashmë një muaj, raporti mes këshilltarëve të Messit dhe klubit është zero. Lojtari ndjehet i tradhtuar dhe ka vendosur të largohet në fund të sezonit, ka thënë Gallardo.
Në shtator Messi ishte takuar me krerët e klubit dhe ishin dakorduar për rritjen e pagës. Por, më vonë klubi ka bërë të ditur se e ka të pamundur ta përmbushë këtë premtim.
Madje, sipas Gallardos, sulmuesi argjentinas tashmë e ka zgjedhur skuadrën ku do ta vazhdojë karrierën. Sipas tij, Messi do të transferohet në një vend të afërt me Spanjën, që më gjasë do të jetë Franca, ku po investohet më të madhe në futboll.
Në fakt, ai ka një marrëveshje verbale me një skuadër dhe nga shkurti ose marsi do të fillojë të planifikojë transferimin e tij. Vendimi është marrë. Messi do të largohet nga Barça në fund të sezonit. Ai do të shkojë në një vend të afërt me tonin, është shprehur Gallardo në emision. Situata është e pakthyeshme dhe agjentët e tij tashmë kanë folur me klubin që është destinacion i mundshëm.
Megjithatë, mediumet spanjolle kanë filluar të spekulojnë se Messi ka zgjedhur skuadrën e Bayernit të Münchenit. Pos trajnerit Pep Guardiola, ato janë kapur edhe me deklaratat e Franz Beckenbauerit, i cili është president nderi te skuadra bavareze.
Beckenbauer ditë më parë në një intervistë për mediumet gjermane kishte deklaruar se transferimi i Messit te Bayerni do të ishte një blerje e madhe për bavarezët në të gjitha aspektet. Ai po ashtu ka thënë se vetëm Messi i përshtatet lojës së Guardiolës nga yjet e mëdhenj.
Messi 26-vjeçar, është pjesë e Barcelonës prej vitit 2000 dhe me këtë skuadër ka fituar çdo gjë që mund të fitohet. Ai ka kontratë me Barçën deri në qershorin e vitit 2018, por mund të largohet nëse paguhet një klauzolë lirimi prej 250 milionë eurosh.
Sipas shkrimeve të mediumeve gjermane, Bayerni do të sigurojë 125 milionë euro për këtë trenafer, kurse 125 milionë të tjerë do ti sigurojë firma gjermane e veshjeve sportive Adidas.