Messi kërkon Agueron
Barcelonë, 7 maj - Barcelona dhe Lionel Messi kanë hedhur një hap tjetër drejt finalizimit të kontratës së përmirësuar të argjentinasit, pas takimit te radhës që Jorge Messi pati me Javier Faus dhe Antoni Rossich.
Burime brenda klubit i kanë cilësuar për mediat katalanase si shumë pozitive bisedimet mes të atit dhe njëkohësisht agjentit të Messit, zv/presidentit të Barçës për çështjet ekonomike, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm.
Edhe pse në fokus të diskutimeve sigurisht që ka qënë aspekti ekonomik për kontratën e re të sulmuesit, janë prekur në të njëjtën kohë edhe çështje sportive që lidhen me të ardhmen e skuadrës.
Vetë Messi ka shfaqur interes të vazhdueshëm për projektin e ekipit dhe ka sugjeruar që blaugranat të marrin argjentinasin tjetër Sergio Aguero nga Manchester City, si dhe ti rinovohet kontrata portierit Pinto.
Sipas \"Sport.es\", bëhet fjalë për propozime dhe jo për imponime apo kushte nga ana e 4 herë fituesit të \"Topit të Artë\". Në lidhje me çështjen e kontratës së re, njoftimi nga Barcelona për arritjen e akordit me argjentinasin, me shumë mundësi pritet në ditët e ardhshme.
Diferencat mes palëve deri tani kanë qënë tek përcaktimi i pagës rreth 20 milionë euro neto për sezon plus 3 milionë të tjera nga përmbushja e objektivave.