Messi do të rinovojë për herë të shtatë kontratën me Barcelonën
Barcelonë, 24 dhjetor - Leo Messi do të rinovojë për herë të shtatë kontratën që e lidh me Barcelonën. Kjo do të ndodhë menjëherë sapo të kthehet nga Argjentina, ku po rekuperohet nga dëmtimi muskular.
Sipas gazetës spanjolle AS, pas deklaratave të forta që shkëmbeu ylli i katalanasve me zv/drejtorin ekonomik të klubit, presidenti Rosell ka vendosur që të mbajë me të mira katër herë fituesin e Topit të Artë.
Javier Faus theksoi se nuk ka shumë që zotërisë (Messi) i kemi rinovuar kontratën dhe nuk shoh arsye pse tia rinovojmë sërish. Messi u përgjigj: Faus nuk merr vesh nga futbolli. Barcelona meriton drejtues të nivelit të lartë.
Messi e ka rinovuar në shkurt të këtij viti kontratën për herë të fundit. Kur të kthehet në Spanjë, përfaqësuesit e Messit do të takohen me ata të Barcelonës për të nënshkruar një tjetër kontratë.
Kontrata aktuale e Messit skadon në vitin 2018 dhe shifra që duhet të paguajë një klub tjetër për ta prishur atë është plot 250 milionë euro.