Me 8 mars mbahen garat dimërore në Brezovicë
Prishtinë, 5 mars - Sot në Prishtinë u mbajt konferenca për shtyp e asosacionit për sporte ekstreme SCARDUS ku u fol për garën kryesore të këtij sezoni në Ski dhe Snowboard Cross e cila do të mbahet në Brezovicë në fundjavën që po vjen: më 8 dhe 9 mars.
Gara do të realizohet në bashkëpunim me Federatën e Skitarisë të Kosovës FSK dhe pritet të mbledhë rreth 70 sportistë nga i gjithë rajoni, përfshirë këtu Hungarinë, Bullgarinë, Maqedoninë, Serbinë, Kroacinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Slloveninë duke reprezentuar kështu ajkën rajonale të sportistave. Kjo garë për herë të parë përfshinë edhe kategorinë e femrave në garat Snowboard Cross.
Lulzim Zhubi, drejtor i SCARDUS u shpreh: Jemi shumë të gëzuar që pas katër vjetëve kemi arritur që të shtojmë në këtë garë edhe konkurencën e vajzave, duke shpresuar se kjo do të ndihmoj në zhvillimin e një platforme për ngritjen profesionale të sportisteve femra në Kosovë.
Rregullat e garës si dhe aplikacioni për pjesëmarrje është i hapur në faqen e asosacionit në internet scardus.org. Regjistrimi në garë mbyllet në mbrëmjen e së premtes. Faza kualifikuese për të gjitha garat do të mbahet gjatë ditës së shtunë me 8 mars, kurse pikërisht në këtë datë mbahet edhe gara për cmimin kryesor në SBX Snowboard për femra. Finalistët e kategorisë së meshkujve në SBX Ski dhe Snowboard garojnë për çmimet kryesore gjatë ditës së diel më 9 mars.
Arta Selimi, menaxhere e asosacionit SCARDUS foli për çmimet të cilat do tu ndahen tre vendeve të para në të gjitha kategoritë:
Çmimet kryesore të garës Snoëboard Cross për femra si dhe ato për meshkuj ndahen nga Devolli Corporation duke u shpërblyer me të holla dhe ato janë si vijon:
vendi i parë 1200 ;
vendi i dytë 600
dhe vendi i tretë 300 .
Selimi poashtu njoftoi që përveç garave fundjava e 8 marsit do të ketë edhe aktivitete tjera, si festime me performanca të DJ lokal.
Ndërsa drejtori i garave, Nemanja Radisic organizimi që u bë këtë vit është organizimi më i mirë i realizuar në 25 vjetet e fundit në Brezovicë. Shtegu i garës është i gjatë 850 metra dhe i ndërtuar me standardet ndërkombëtare të FIS-it (Federata Ndërkombëtare e Skijimit).
SCARDUS do të organizojë transport falas për të gjithë pjesëmarrësit dhe shikuesit e garave SBX për Ski dhe Snowboard gjatë fundjavës. Të interesuarit mund të konfirmojnë ardhjen me transportin tonë duke dërguar mesazh në faqen zyrtare të Scardus në Facebook - facebook.com/scarduskosovo, më së largu deri të premtën në ora 11:00.
SCARDUS këtë vit shënon edicionin e katërt ndërsa partnerët të cilët e mundësojnë këtë garë janë DEVOLLI Corporation të cilët këtë vit ndajnë çmimet kryesore të garës, Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, Ambasada Norvegjeze, Komuna e Prishtinës, Komuna e Shtërpcës dhe Supra.