Luka Modriç, 3 muaj jashtë fushave
Zagreb, 18 nëntor - Dëmtimi që pësoi Luka Modric në ndeshjen kualifikuese për Euro 2016 mes Italisë dhe Kroacisë është shumë më i rëndë se sa e u mendua fillimisht dhe mesfushori 29-vjecar nuk do të jetë në dispozicion të Real Madrid për një periudhë 3 deri në 4 muaj.
Mjekët e klubit kampion Europe vizituan nga afër futbollistin dhe sipas asaj që bëjnë të ditur mediat spanjolle Modriç aktualisht po vuan nga një tërheqje në pjesën e përparme të kofshës së majtë. Ky fakt do të thotë që ish lojtarit të Tottenhamit do ti duhet të qëndrojë jashtë fushave të futbollit nga 12 deri në 16 javë.
Me pak fjalë për të parë sërish Modriç-in në aksion me fanellën e Real Madrid duhet të presim të paktën fundin e muajit Janar. Me dëmtimin e 29-vjeçarit ballkanas ndërlikohen në një farë mënyre gjërat për Los Blancos, me trajnerin Carlo Ancelotti që tashmë duhet të gjejë një zgjidhje sa më të mirë për të zëvendësuar Modric në takimet e ardhshme.
Opsionet për trajnerin italian të Realit, janë tre Sami Khedira, Asier Illaramendi dhe Isco me këtë të fundit që nëse aktivizohet nga Ancelotti në vend të Modriç duhet të luajë më i tërhequr nga pozicioni i tij natyral në fushë.
Mesfushori kroat ka qenë një nga lojtarët kryesorë në formacionin e Los Blancos në këtë fillim sezoni teksa ka zhvilluar në total 17 ndeshje duke shënuar edhe 1 gol.