Lojtarët e Bayernit dalin nga hoteli në mes të natës
Moskë, 29 shtator - Të gjithë lojtarët dhe stafi i Bayern Munchen është detyruar të evakuojë hotelin ku është grumbulluar në Moskë në mes të natës pas një alarmi për zjarr.
Lajmin e bëri të ditur klubi bavarez nëpërmjet profilit në Twitter, duke e shoqëruar me një foto të Pep Guardiolës, i cili po priste në rrugë i mbështjellë me batanije.
Mesazh nga Moska: alarm zjarri në hotelin e ekipit. Të gjithë duhet të dalin nga hoteli. Lojtarë dhe trajnerë përballë hotelit, shkruante shefi i zyrës së shtypit Markus Horwick.
Një orë më vonë, Horwick konfirmoi se nuk kishte asgjë për tu shqetësuar: Gjithçka në rregull. Trajnerët dhe lojtarët janë në hotel. Do të flemë një orë më shumë.
Skuadra e Bayern Munchen ndodhet në Moskë pasi të martën do të luajë ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve ndaj CSKA-së.