Liverpooli nuk heq dorë nga Berisha
Liverpool, 26 shkurt - Skuadra e Liverpoolit është e gatshme të rrisë ofertën deri në dhjetë milionë euro për transferimin e mesfushorit Valon Berisha, shkruajnë të martën mediumet angleze.
Berisha 21-vjeçar aktualisht është pjesë e skuadrës austriake Red Bull Salzburg dhe ka kontratë deri në qershorin e vitit 2016.
Ai këtë edicion ka zhvilluar 22 ndeshje në Bundesligën e Austrisë, duke shënuar tri gola dhe asistuar gjashtë herë për bashkëlojtarët.
\"Trajneri i Liverpoolit, Brendan Rodgers nuk e ka ndërmend të heq dorë nga Valon Berisha, të cilën po e përcjellë vazhdimisht. Ai e sheh Berishën si përforcim adekuat për edicionin e ardhshëm dhe është i gatshëm të paguajë deri në dhjetë milionë euro\", ka thënë një burim brenda skuadrës së Liverpoolit.
Berisha në vitin 2012 u pat transferuar te Salzburgu nga skuadra norvegjeze Viking Stavanger për 2.5 milionë euro.