Kryetari Ahmeti priti në takim kampionët
Prishtinë, 4 maj - Lojtarët dhe drejtuesit e Sigal Prishtinës, u pritën sot në takim nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nënkryetari Dardan Sejdiu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci.
Kryetari Ahmeti e përgëzoi skuadrën e Sigal Prishtinës, trajnerët dhe gjithë stafin për suksesin, titullin e kampionit të Ligës Ballkanike në basketboll.
Ai tha se Sigal Prishtina është klubi më i suksesshëm që e ka kryeqyteti, si dhe e përgëzoi udhëheqësinë e klubit për këtë sukses.
Me këtë rast, Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar që ta përkrah këtë klub, si dhe risjelli në vëmendje diskutimet që Pallati i Rinisë ti kthehet në pronësi Komunës së Prishtinës dhe atyre Komunave të cilat kanë kontribuar.
Në këtë mënyrë do ti mundësojmë investimet e mëtutjeshme edhe të Komunës, por ndoshta edhe të donatorëve siç është diskutuar edhe me Komisionin Evropian, të qeverisë për renovimin e Pallatit të Rinisë dhe ndërtimin e një salle moderne.
Tashmë siç duket Liga Ballkanike është pak tashmë dhe sigurisht se keni ambicie të reja për të marrë pjesë edhe në gara të tjera, në ndonjë ligë të ngjashme, tha Ahmeti.
Kryetari i Sigal Prishtinës, Blerand Stavileci pasi që e falënderojë kryetarin Ahmeti për pritjen, tha se është e rëndësishme që të përkrahen maksimalisht klubet që tregojnë suksese të tilla.
Lidhur me këtë, kryetari Ahmeti u shpreh se sivjet është rritur buxheti për subvencionimin e klubeve dhe se në vitet në vijim vlera e subvencioneve për sportin do të shtohet edhe më shumë, ndërsa sporti i basketbollit do të ketë një përkrahje edhe më të madhe nga Komuna e Prishtinës në kuadër të mundësive buxhetore.
Kryetari Ahmeti, po ashtu, tha se Komuna e Prishtinës do të jetë përkrah Sigal Prishtinës në iniciativa dhe suksese të reja.