Krasniqi kërkon përkrahje për sportin e Kosovës
Doha, 11 dhjetor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka mbajtur një fjalim në samitin e ministrave të sportit, që është mbajtur në kuadër të Samitit Doha Goals Forum, në Doha të Katarit, samit ky që përfundon sot. Në konferencë është folur për sfidat dhe të ardhmen e sportit dhe raportin e qeverive.
Ministri Krasniqi po merr pjesë në këtë samit me ftesë të Ministrit të Rinisë dhe Sportit të Katarit, Salah bin Ghanem bin Nasser Al Al. Në këtë ngjarje, që organizohet për herë të dytë, marrin pjesë mbi 1000 pjesëmarrës, përfshirë drejtues të institucioneve të ndryshme sportive ndërkombëtare, ministra, sportistë dhe ish sportistë të mirënjohur nga e mbarë bota.
Në falën e tij, Ministri Krasniqi ka njoftuar homologët e tij me gjendjen nëpër të cilën ka kaluar sporti në Kosovë për vite me radhë. Ai po ashtu ka folur edhe për progresin dhe sfidat që po e përcjellin sportin në Kosovë në këtë kohë.
Theks të veçantë ministri i ka vënë ndërkombëtarizimit dhe infrastrukturës. Ai përmendi para ministrave faktin që sportistëve nga Kosova nuk u lejohet të jenë pjesë e barabartë në garat zyrtare ndërkombëtare. Ministri theksoi se kjo është një drejtë njerëzore dhe komuniteti ndërkombëtar sportiv duhet të hapë dyert, për ti kontribuar kështu masivizimit të sportit dhe eliminimin e diskriminimit.
Në këtë takim të ministrave është folur edhe për infrastrukturën dhe sfidat në organizim të ngjarjeve të mëdha sportive. Ministri theksoi problemet me infrastrukturë sportive që ka Kosova.
Ai shtoi se po bëhen përpjekje që të investohet dhe disa hapa janë bërë tashmë. Sipas tij, shtetet e vogla në përgjithësi kanë problem me sigurimin e një infrastrukture të gatshme për ngjarje të mëdha sportive, por shtoi se duhet të punohet bashkërisht që këto shtete të jenë organizatorë të ngjarjeve më të vogla sportive, qoftë gara rajonale, apo edhe ndërkombëtare por në sporte individuale, ku nuk kërkohet infrastrukturë e madhe.
Pas takimit, ministrat nga vende të ndryshme kanë miratuar një deklaratë përmes së cilës theksojnë rolin si një katalizator për inovacione dhe investime.
Përmes deklaratës, ministrat janë dakorduar që bashkëpunimi me sektorin privat në fushën e sportit, dhe akterë të tjerë është mjaftë i rëndësishëm për krijimin e një politike të drejtë për të bërë avancime në organizim sa më të mirë dhe në ecje në hap me zhvillimin e teknologjisë, dhe për të punuar për të mirën e njerëzve përmes sportit.
Ministri Krasniqi përveç kësaj ka takuar edhe homologë të tij, në margjina të samitit. Me ta ai ka diskutuar për nevojën për bashkëpunimin në fushën e sportit, dhe ka kërkuar nga ta mbështetje në ngritje të kapaciteteve në sport, shkëmbim të përvojave e ne veçanti përkrahje për ndërkombëtarizim.
Ai i ka njoftuar ata me progresin në sport, me emrat e shumtë nga Kosova që po tregojnë suksese nëpër botë, si dëshmi për potencialin tonë. Një takim të veçantë ka pasur me Ministrin e Sportit të Rinisë të Katarit, Salah bin Ghanem bin Nasser Al Ali me të cilin janë pajtuar për të vazhduar komunikimet në mënyrë që një të ardhme të afërt të diskutohen dhe konkretizohen format e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Bashkë me ministrin e Katarit dhe me ministrin e Omanit, Ministri Krasniqi ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës së Ekselencës, e cila do të merret me zhvillimin e sportistëve elitar.
Doha Goals Forum mbahet nën patronatin e mbretit të Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani. Konsiderohet qysh tash një ngjarje e rëndësishme për shkak se aty marrin pjesë shumë sportistë e zyrtarë të qeverive të ndryshme.