Kosova me 300 klube sportive prej tyre 54 klube i përkasin futbollit
Prishtinë, 31 dhjetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Sportit 2013.
Ky publikim ofron të dhëna për aktivitetet sportive të zhvilluara gjatë vitit 2013, të dhëna për numrin e klubeve sportive, numrin e sportistëve, numrin e stërvitjeve, numrin e ndeshjeve, numrin e shikuesve etj.
Nga rezultatet e dala nga ky publikim rezulton se numri i klubeve sportive në vitin 2013 ishte 300 në të gjitha llojet e sportit, prej tyre 54 klube ose 16% i përkasin futbollit.
Numri i sportistëve ishte 16.937, prej tyre 4.094 ose 24% nga numri i përgjithshëm i sportistëve i përkasin futbollit.
Numri i ndeshjeve sportive në të gjitha llojet e sportit të realizuara gjatë vitit 2013 ishte 6.698, ku numri më i madh i ndeshjeve ishte në kategorinë e futbollit me gjithsej 1.320, ose 19.7% e numrit të përgjithshëm të ndeshjeve.
Numri i përgjithshëm i shikuesve ishte 51.840, ku numri më i madh i shikuesve është regjistruar në ndeshjet e futbollit me gjithsej 7.630 shikues, ose shprehur në përqindje 14.8% e numrit të përgjithshëm të shikuesve.