Klose në radarët e Barcelonës
Barcelonë, 17 nëntor - Barcelona e ka seriozisht, Miroslav Klose mbetet zgjedhja e parë e Tata Martinos për rolin e qëndërsulmuesit.
Lojtari gjerman që nuk ka marrë ende një vendim për të ardhmen, rikthehet në radarët e shoqërisë katalanase që kërkon të përfitojë edhe nga fakti se kontrata e panzerit skadon në Qershorin e vitit 2014.
Martino është sponsori më i madh i bomberit dhe drejtuesit kërkojnë tia plotësojnë dëshirën sepse në këndvështrimin e argjentinasit, Klose mund të zgjidhë hallet e skuadrës në repartin e avancuar pasi Barcelona prodhon shumë por finalizon pak.
Në këtë aspekt, \"snajperi\" gjerman edhe pse nuk favorizohet në skemat bazike, mund të shërbejë si një as nën mëngë gjatë ndeshjeve kur blaugranat nuk arrijnë të çajnë mbrojtjet e hekurta. Në rast se tentativa për transferimin e Kloses në Spanjë dështon, atëherë alternativa e tij është Didier Drogba.
Ai është 35-vjeç dhe ka një profil të ngjashëm me gjermanin, por pengesa kryesore mbetet Galatasaray që nuk do të pranojë të heqë dorë nga bomberi afrikan. Një tjetër emër edhe pse me pak shanse reale për të mbërritur në \"Camp Nou\" është edhe sulmuesi bullgar, Dimitar Berbatov, aktualisht pjesë e skuadrës së Fulham.
Në të shkuarën një nga premtimet më të mëdha të futbollit botëror por me kalimin e viteve i venitur mes problemeve të shumta.
Gjithsesi, deri në këto momente nuk ka hapa konkretë sepse një vendim përfundimtar, Barcelona do ta marrë në muajin janar. Deri atëherë, Tata Martino duhet të kënaqet me lojtarët që ka në dispozicion.