Karim Benzema nuk do të largohet nga Reali
Madrid, 24 shtator - Minuta e 72-të e ndeshjes me Getafen, Karim Benzema ka përpara vetes një portë prej shtatë metrash, dhe një top që duhet ta dërgojë në fundin e saj, por francezi arrin të gjejë trajektoren e duhur për ta dërguar atë mbi traversë.
Rastet e shpërdoruara nga Benzema me fanellën Los Blancos janë të panumërta, megjithatë te Reali vazhdojnë të besojnë te ai, aq sa klubi konfirmon se nuk ka ndërmend të kërkojë një sulmues në merkaton dimërore.
Sipas drejtuesve të klubit merengues, Benzema mbetet sulmuesi kryesor i skuadrës, dhe në fakt gjithçka duket e drejtë duke marrë parasysh se zëvendësuesit e tij janë dy futbollistë ende pa një eksperiencë të madhe, si Jese dhe Morata.
Për më tepër loja e tij në Champions ndaj Galatasarajit, pavarsisht gabimeve në ndeshjen me Getafen, ka bindur klubin se sulmuesi ka nevojë që të punojë i qetë për të dhënë më të mirën e tij, dhe tifozët nuk duhet të ushtrojnë vazhdimisht presion, aq më tepër që dhe rezultatet e ekipit janë pozitive.
Benzema gjithmonë ka qënë në konkurencë me futbollistë të tjerë në repartin e sulmit te Realit, fillimisht me Van Nilsteroy, më pas me Adebayor dhe së fundmi me Higuain, por largimi argjentinasit drejt Napolit, e ka bërë francezin pikën e referimit për repartin e avancuar të Los Blancos.