Kaka, pranë 100 golave në karrierë me Milanin
Milano, 2 dhjetor - Në Katania, Kaka shënoi golin e tij numër 99 me fanelën e Milanit. Braziliani pati thënë se objektivi ishte të shënonte golin numër 100 me kuqezinjtë para Krishtlindjeve dhe për ta arritur këtë qëllim do të ketë në dispozicion 3 ndeshje kampionati (Livorno, Roma, Inter) dhe 1 Champions-i (Ajax).
Po e pres me padurim golin e radhës, do të përgatis diçka të veçantë për ta festuar, ka premtuar Ricky, i cili me dy gola brenda javës është kthyer sërish të jetë lideri i kuqezinjve.
Eksperienca e tij e dytë tek Milani nuk kishte nisur mirë. Dëmtimi në kofshë në mes të shtatorit bëri të dukej sikur klubi kishte bërë gabim që e mori nga Reali, por braziliani nuk humbi shpresën.
Njoftoi se nuk do e merrte pagën e ditëve kur i mungoi ekipit dhe nisi të punonte për rikthimin sa më të shpejtë. Bilanci i parë është 8 ndeshje dhe 3 gola në Serinë A, ndërsa në Champions ka shënuar 1 gol në 3 takime.
Objektivat e tjera të Kaka janë ngjitja e Milanit në klasifikim dhe rikthimi në kombëtaren e Brazilit për botërorin Brazil 2014.
Ndërkaq, braziliani ka barazuar ish-sulmuesin Filipo Inzaghi me 73 gola në Serinë A në vendin e nëntë në klasifikimin e golashënuesve më të mirë të Milanit në histori.