Juventus nis bisedimet me Robben
Torino, 15 nëntor - Arjen Robben dhe Pep Guardiola nuk do jenë kurrë miqtë idealë, dhe kjo u pa që në ditët e para kur trajneri spanjoll erdhi te Bayern Munichu.
Mesfushori ofensiv holandez ka nisur të duket përsëri në pankinë, me rikuperimin e Mario Gotzes, dhe një fakt i tillë ka rindezur pakënaqësitë te 29- vjeçari, që po snobohet edhe nga drejtuesit e klubit në lidhje me një rinovim kontrate, e cila përfundon në verën e vitit 2015.
Prandaj, duke përfituar nga një krisje te \'bavarezët\' mes Guardiolës dhe Robbenit, në Gjermani e Turqi kanë nisur zërat se vetë holandezi ka kërkuar largimin në fund të këtij sezoni, por me anë të një deklarate për median e vendlindjes së tij ka përjashtuar kategorikisht një transferim te Gallatasaray.
Juventusi duket e vetmja në garë nga klubet me emër në Europë për afrimin e holandezit, që pas aventurave holandeze, spanjolle, angleze e tashmë gjermane mund të ketë rastin ta testojë veten edhe në Serinë A.
Prandaj, drejtori i përgjithshëm bardhezi, Giussepe Marotta, ka nisur menjëherë kontaktet e para me menaxherët e tij, për të kuptuar situatën ku po noton futbollisti që do bënte të lumtur Conten. Dhe nëse do ekzistojnë kushtet, për Juven nuk do jenë një problem pagesa e 20 milionë eurove që Bayerni kërkon për kartonin e tij.