Joachim Low abstenon për Topin e Artë
Berlin, 5 dhjetor - Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Low, ka refuzuar të votojë për Topin e Artë këtë vit, ka njoftuar Federata e Futbollit të Gjermanisë (DFB).
Pesë futbollistë të skuadrës së tij janë në garë për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në botë nga FIFA: yjet e Bayern Munichut, Manuel Neuer, Philipp Lahm, Bastian Schweinsteiger dhe Thomas Muller, së bashku me mesfushorin kreativ të Arsenalit, Mesut Ozil.
Dhe, për shkak se të gjitha votat janë publike, Low nuk dëshiron të krijojë polemika duke veçuar ndonjërin prej futbollistëve të tij.
Ai nuk do të votojë për shkak se bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme dhe për këtë arsye do të abstenojë, deklaroi zëdhënësi i DFBsë, Jens Gritter për Sport Bild.
Në anën tjetër, është nder për futbollin gjerman që ka pesë kandidatë në mesin e 23 futbollistëve në listën e gjerë për Topin e Artë. Por, FIFA i publikon votat dhe kjo mund ta vë në telashe trajnerin, përfundoi ai.