Jahjaga revokon Medaljen Presidenciale të Meritave për Aziz Salihun
Prishtinë, 19 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka vendosur që të revokojë dekoratën Medalja Presidenciale e Meritave dhënë sportistit Aziz Salihu.
"Bazuar në nenin 14, paragrafi 1 dhe 4 i Ligjit për Dhënien e Dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës në të cilin thuhet: Të dekoruarit mund ti revokohet Dekorata nëse vepron në kundërshtim me rendin publik, moralin dhe kryen vepra të tjera që e bëjnë të padenjë për bartjen e Dekoratës. (Neni 14, paragrafi 1- Ligjit për Dhënien e Dekoratave) E enjte, 19 dhjetor 2013", thuhet në njoftimin e presidentes Jahjaga.
Me dekoratë vlerësohet veprimtaria, aktiviteti dhe puna e dalluar e një qytetari, organizate dhe institucioni për meritat në fusha të caktuara dhe Presidentja me këtë motivacion edhe e ka dekoruar zotëri Aziz Salihun.
Akti i shqyerjes së Dekoratës e bën të padenjë bartësin e saj për mbajtjen e së njëjtës. Dekorata nuk ka ndonjë shpërblim financiar apo ndonjë favor tjetër material dhe nuk mund të konsiderohet si mjet për të kërkuar përfitime materiale apo favore të tjera.