Jahjaga i dorëzoi flamurin e Kosovës Komitetit Olimpik të Kosovës
Prishtinë, 5 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, i dorëzoi sot flamurin e Kosovës Komitetit Olimpik të Kosovës, në prag të nisjes në Lojërat Evropiane, që mbahen në Baku të Azerbajxhanit.
Presidentja Jahjaga në një pritje të organizuar në Zyrën e saj, takoi sportistët e Kosovës dhe përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, që për herë të parë përfaqësojnë vendin në sportin ndërkombëtar, dhe iu uroi suksese në Lojërat Evropiane në Baku.
Flamurin e Kosovës, Presidentja Jahjaga ia dorëzoi sportistes së mirënjohur Majlinda Kelmendi.
Veç tjerash, në takim me sportistët e Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se për shtetin tonë, shtetin e ri të Kosovës, nuk ka krenari më të madhe, nuk ka emocion më të madh sesa për herë të parë ta kemi Kosovën pjesëmarrëse të Lojërave Evropiane dhe, me këtë hap të parë, duke u bërë edhe pjesë e familjes së sportit ndërkombëtar.
"Në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, zyrtarisht tjua dorëzoj flamurin e Republikës së Kosovës, që për herë të parë do të valojë në kuadër të Lojërave Evropiane që do të mbahen, në kuadër të shumë flamujve të tjerë të tërë Evropës dhe tërë botës", tha Jahjaga.
Kjo sipas saj është meritë e gjithsecilit, duke iu falënderuar rezultateve konkrete që kanë bërë sportistët, siç është Majlinda dhe shumë të tjerë.
"Për neve, së pari si qytetarë dhe si përfaqësues të institucioneve, nuk ka krenari më të madhe sesa që është ky moment. Ju jeni ambasadorët më të mirë që e përfaqësoni shtetin tonë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, përmes këtij aktiviteti."
"Gjatë gjithë kohës që do të mbahen këto lojëra, me shpirt dhe me zemër, të gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë së bashku me juve, do të jenë me mundin e juaj që do ta plasoni në stadiume së bashku me gjithë djersën që do ta derdhni."
"Duke përfaqësuar veten dhe duke dhënë gjithë maksimumin, por më e rëndësishmja është, duke e përfaqësuar shtetin e Kosovës."
\"Ju po shkoni si fitimtarë, por edhe do të ktheheni si fitimtarë më të mëdhenj.